”SKICË HISTORIKE MBI MALIN E ZI SIPAS TRADITAVE GOJORE SHQIPTARE”

MALI I ZI SIPAS TRADITËS SHQIPTARE

Pashko Vasa, SKICË HISTORIKE MBI MALIN E ZI SIPAS TRADITAVE GOJORE SHQIPTARE, Botoi: ALSAR, Tiranë, 2019

Nga Dr.Nail Draga

Në plejadën e personalitetëve të Rilindjës Kombëtare Shqiptare bën pjesë edhe Pashko Vasa, i cili u dallua me veprimtarinë e vet në favor të çështjes kombëtare. Në këtë aspekt bën pjesë edhe veprimtaria botuese e cila ishte dëshmi e ngritjës së ndërgjegjës kombëtare, që përkon më kohën e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit.
Ai ishte personalitet shumëdimensional si, publicist, poet, studiues i historisë kombëtare, i gjuhës, hartues i një alfabeti, një gramatike e një romani dhe poliglot sepse ishte njohës i shtatë gjuhëve të huaja. Pjesën ma të madhe të jetës e kaloi si zyrtar i administratës së Perandorisë Osmane duke qenë përfundimisht guvernator i Libanit, ku edhe vdiq në vitin 1892 në moshën 67 vjeçare.
Vepra “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, është botuar frengjisht në vitin 1872 në Stamboll në Shtypshkronjën “Lajmëtari i Orientit”, ndërsa kohë më parë në përkthim nga prof.Seit Mansaku është botuar në gjuhën shqipe nga Fondacioni ALSAR nga Tirana. Ndonëse studiues të ndryshëm kanë pasur njohuri për ekzisimin e një vepre të tillë, ajo për opinionin shqiptar ishte e panjohur sepse ishte në gjuhën fërnge, ku si e tillë i bashkangjitet botimit në shqip, duke ruajtur origjinalitetin e saj. Libri në fjalë si nga titulli dhe përmbajtja është intrigues dhe zgjon kureshtjen të lexuesi për nga forma e prezantimit dhe çështjet e trajtuara. Si të tillë duhet lexuar e analizuar në kontekstin e kohës, kur lënda është përgatitur për botim, që dëshmon qasjen e autorit për principatën e Malit të Zi, në sajë të të dhënave të disponueshme për kohën përkatëse.
Librin “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, siç pohon vet autori, mbeshtetet në traditat popullore shqiptare, sepse sipas tij, “malazezët dhe fqinjët e tyre shqiptar nuk kanë mundur t’u përcjellin pasardhësve kujtimin e bëmave të tyre me ndonjë formë tjetër, përveç se nëpërmejt të traditave gojore”. Malazezët dhe Shqiptarët, mendon ai, “nuk kanë marrë kurrë mundimin të regjistrojnë ndeshjet që kanë bërë midis tyre. Kohët qenë shumë të vështira për këta dy popuj luftëtarë e trima dhe nuk patën mundësi të shpëtonin nga harresa për një kohë të gjatë dramat politike në të cilat kanë qenë aktorë. Ata e shikonin lavdinë e tyre në grykat e pushkëve.” Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna del se autori nuk ka pretenduar të bëjë në këtë libër një paraqitje të plotë të historisë së principatës së Malit të Zi, por synon të japë në skicë të thjeshtë të historisë së këtij vendi fqinj, duke shfrytëzuar traditat gojore të shqiptarëve: tregimet popullore, legjendat, këngët popullore të përcjellura gjatë shekujve.
Në këtë punim autori fillimisht jep informacione për principatën e Malit të Zi, territorin, popullsinë, aspektet sociale duke filluar nga mesjeta e vazhduar më pas me qeverisjen nga peshkopët që ishin binom i pushtetit shpirtëror e ati laik. Po ashtu në libër ka informacione edhe për Bosnjën e sidomos Shkodrën përkatësisht Shqipërinë veriore, duke shqyrtuar raportët e ndërsjella qoftë në kohë paqeje apo edhe të luftimeve të ndryshme, që ishin rezultat i ambiceve hegjemoniste të qarqeve sunduese të kohës. Një çështje e tillë ka të bëjë sidomos në raportët malazezo-shqiptare kryesisht në zonat kufitare të tyre entitetëve të cilat ishin edhe arena luftarake, të dëshmuara edhe në burimet historike. Nga të dhënat e tilla del se autori ka pasur informacione të mjaftueshme dhe si njohës i mirë i rrethanave shoqërore të kohës, prezanton pikëpamjet e tia, të cilat me pas janë bërë pjesë e diplomacisë ndërkombëtare të kohës, me interes të veçantë në këtë regjion gjeografik.
Ndonëse në shikim të parë kemi të bëjmë me një libër të vogël për nga numri i faqeve, ai ka peshë të veçantë sepse është i pari në atë kohë, ku temë qendrore ka principatën e Malit të Zi. Ndërsa i shkruar nga një shqiptar, dëshmon interesimin e autorit për Malin e Zi, i cili në atë kohë ishte një regjion gjysëm autonom në kuadër të Perandorisë Osmane.
Këtë libër duhet lexuar në kontekstin e kohës e cila i takon kryesisht shek.XIX, andaj si i tillë duhet analizuar dhe komentuar. Të dhënat e tilla në përgjithësi janë sinteza të çështjeve dhe ngjarjeve në principatën e Malit të Zi, andaj në këtë kontekst duhet trajtuar edhe marrëdhëniet e malazëzëve dhe shqiptarëve, si dy popuj fqinj, të cilët kanë pasur incidente e madje edhe konflikte luftarake varësisht prej rrethanave të kohës në zonën kufitare e cila si e tillë u definu nga shek.XIX.
Duke marrë parasysh kohën kur është përgatitur për botim ky libër jemi dëshmitar se për ca ngjarje të cilat në këtë botim i cekën Pashko Vasa mungojnë datat, përkatësisht vitët përkatëse, por sot kemi mundësi ti përcaktojmë ato, sepse ekziton faktografi e mjaftueshme historike. Andaj, në të ardhmën iu mbetët studiuesve të analizojnë të dhënat e tilla duke i plotësuar më shënime të nevojshme në mënyrë që ky botim të jetë me i kompletuar për opinionin e gjerë kulturor.
Duke vlerësuar lart veprimtarinë e përgjithshme kombëtare e kulturore nuk ka dilemë se Pashko Vasa, ka mbetur në kujtesën kombëtare për dy momente interesante; e para ka të bëjë me pozitën e zyrtarit të Perandorisë, ku me ndërgjegje kombëtare shqiptare nuk ka pranuar të shkonte e të qeveriste krahinën e Kosovës, sepse po të shkonte atje, e ka thënë publikisht se “ai do të bëhëj tradhtar, sepse ose do të tradhtonte Perandorinë, ose do të tradhtonte vendin e tij”. Pra refuzoj ofertën e sulltanit, por pranoj të jetë guvernator në Liban.
Ndërsa momenti i dytë ka të bëjë me poezinë e tij “O moj Shqypni”(1880), e cila më të drejt është quajtur kushtrim kombëtar, që i bëhëj ndërgjegjes së shqiptarëve për shpëtimin e atdheut ku vargjet “çoniu shqyptar prej gjumit çoniu/ të gjithë si vllazën n’nji bes shtrengoniu/ e mos shikoni kisha e xhamia/ feja e shqiptarit ashtë shqiptaria”, kanë mbetur mesazh i përjetshëm kombëtar për të gjithë shqiptarët.
Dhe në fund duhet falenderuar botuesin Fondacionin ALSAR nga Tirana për botimin e veprave të tilla nga fusha të ndryshme të albanologjisë. Urojmë që botime të tilla opinionit ti dhurohen në të ardhmën, duke dëshmuar së ALSAR është duke kryer një mision sa kulturor dhe kombëtar.

(Fjala e mbajtur më rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 27 prill 2019)

Lini një Përgjigje

Top