Buxhovi për Bismarckun dhe «Shqipërinë e Madhe»

A u takua kancelari gjerman me për­fa­që­suesit e Lidhjes së Pri­zrenit, që kër­konin një shtet autonom shqiptar? A e për­krahte ai «Shqipërinë e Ma­dhe»? Pse shqiptarët e kun­dër­shtu­an me luftë kufirin e ri me Ma­lin e Zi, por zgjo­dhën dip­lo­ma­cinë për të pe­n­guar anek­simin grek të vi­seve jugore?

Përgjigjet i jep historiani Jusuf Buxhovi në serinë Kosova. Këtu po sje­llim një fra­g­­ment nga botimi ang­lisht i vëllimit 2, që mbulon peri­udhën e Pera­n­dorisë Os­mane.

Read this article in English • Lexoje anglisht

Me vonesë prej një viti, Lidhja Shqiptare e Pri­zrenit cak­toi Abdyl Fra­shërit dhe Mehmet Ali Vrioni të udhë­tonin drejt kryeqyteteve evro­piane për të para­­qitur çështjen shqiptare si kyçe për paqe dhe sta­bi­litet në Ballkan. Për­fa­qësuesit e Li­dh­jes dorë­­zuan memo­ran­dume që kundër­shtonin anek­simin e to­kave shqip­tare nga Greqia, dhe trajtuan çështjen e auto­no­misë në takimet me zyr­tarët në Romë, Pa­ris, Londër dhe Vjenë. Por asnjë takim nuk u mbajt në Berlin, meqë auto­ritetet gjer­mane re­fu­zuan t’u ku­shtonin vë­mendje diplo­matëve shqiptarë.

Sikur Bismarcku të pra­nonte të dër­gu­arit e Lidh­jes, ata do të kishin pro­po­zuar një zgjidhje ko­m­pro­misi. Ndo­nëse në Me­mo­ran­dumin e tyre shprehnin qënd­rime më të ashpra, ata ishin të gatshëm të sugje­ronin që çështja e ku­firit të pezu­llohej për­kohësisht deri në atë kohë kur po­pulli do të ishte në po­zitë të bara­bartë për të zgji­dhur çë­sh­tjen e tyre (duke nën­kuptuar kështu pa­varësinë e Shqi­përisë).

Kjo u bë e ditur më 15 maj 1879 nga Köl­nische Zeitung, në një ar­ti­kull të gjatë rreth Fra­­shërit dhe Vri­onit, të cilët ga­zeta i për­shkroi si perën­dimorë të ngri­tur, me një për­gatitje të duhur in­telek­tuale dhe po­li­tike. E përditshmja e Kël­nit i bën­te thirrje Bis­marc­kut të ta­konte dy dip­lo­matët dhe të dis­ku­tonte me ta në plo­tëni, në mënyrë që Ko­mi­si­oni i Amba­sa­do­rëve që do të mbi­këqyr­te viza­timin e ku­firit të ri jugor të merrte para­sysh pro­po­zi­met shqip­tare. Për më tepër, arti­kulli këm­bë­ngulte se dia­logu mund të ndih­monte në para­nda­li­min e një kon­flikti mes dy po­pujve, të cilët nuk ki­shin arsye për të luftuar ndaj njëri-tjetrit. Köl­­nische Zei­tung mbë­shteti qën­dri­min e vet kun­dër luf­tës duke për­­mendur rrënjët e lash­ta të shqip­tarëve dhe gre­këve dhe luf­tën e tyre të për­bashkët kundër osma­nëve. Ar­va­nitët nga Beotia, Suli dhe Athina kishin marrë pjesë në Luftën e Pa­va­rësisë Gre­ke dhe shumë prej tyre ishin bërë heronj të shtetit të ri he­len, i cili nuk do të kishte gë­zuar lirinë pa sak­rificën dhe kon­tri­butin e shqiptarëve.

Mbase, njoftimi i gazetës për një paketë shqip­tare «me pro­po­zime in­te­re­sante dhe to­lerante për të zgjidhur kri­zën jugore» bëri që zyr­tarët gjermanë të shpër­fillnin Fra­shërin e Vrionin. Ata vetë e pris­nin këtë skenar. Ata mbë­rritën në Ber­­lin më 15 maj 1879 dhe u regjistruan në hotelin luksoz Roma, nga ku ia dërguan Me­mora­ndu­min qeverisë gjermane. Në vend se ta dorë­zonin doku­men­tin per­so­nalisht, dy di­p­lo­­matët dër­guan letrën prej 10 faqesh me postë dhe i bashkë­ngji­ten një kër­kesë për kon­fe­rencë me Bismar­ckun. Por në vend të takimit me kan­ce­larin, atëherë-sek­re­tari i jashtëm (dhe kancelari i ardh­shëm) Bern­hard Von Bü­low u shkroi:

Zotërinj, kam pasur nderin të marr let­rën tuaj, të datës 19 maj 1879, të dër­guar nga Hotel Roma së bashku me Me­mo­ran­dumin dhe një shtojcë. Ju falë­nde­roj për­zemër­sisht për njof­timin dhe shpreh mirë­njohjen time.

Pasi që Frashëri dhe Vrioni ishin larguar nga Ber­lini, ata nuk morën kurrë për­gjigjen e Bü­lowit. Letra u kthye në minis­trinë e jashtme gjer­mane me një shënim nga me­naxh­menti i ho­telit se «dy zotërinj janë nisur dy ditë më parë në Vjenë përmes Drez­denit».

Siç mund të nxjerrim nga dokumentet, as Bis­marcku, as ndo­një zyrtar tjetër i lartë i Rajhut nuk e morën dele­ga­cionin shqip­tar. Frashëri dhe Vrioni qëndruan në Ber­­lin për dy ditë dhe dër­guan Memo­ran­dumin e tyre për­mes shër­bimit po­s­tar. Një rrjedhë e tillë e ngjarjeve e hedh poshtë pre­ten­dimin e Jovan Hadji-Vasi­lje­­vićit se «Bis­marc­ku mirë­priti de­le­gacionin e Li­dhjes në Ber­lin». Di­jetari serb ka ndikuar edhe te disa historianë shqip­tarë, që tejçojnë ga­bimin duke thënë se Bis­marcku «jo­zyr­ta­risht» u takua me për­faqësuesit shqip­tarë. Një ngjar­je e tillë nuk mbë­shtetet nga asnjë doku­ment meri­tor gjer­man, dhe nuk ka gjasa që takimi të ketë ndodhur.

Shqiptarët nuk ia dolën të takoheshin as me sek­reta­rin e jashtëm, Von Bülow, i cili ishte përgjegjës për Ball­ka­nin, as ndonjë zyrtar vartës të departa­mentit. Se do të ngjante kë­shtu para­lajmëron letra që amba­sadori os­man në Ber­lin, Ab­dullah Beu, kishte dër­guar në minis­trinë e jasht­me gjer­mane. Në emër të mi­nis­trit të tij të jashtëm, Kara­theo­dori Pa­shës, Abdu­llahu poro­sis­te zyr­ta­rët gjer­manë të mos pra­nonin asnjë për­faqë­sues shqip­­tar me pre­tekstin se vetëm Pera­ndoria Os­mane ishte për­gje­gjëse për çësh­t­jet që shqip­tarët dë­shironin të ngrenin.

Pohimi i Hadji-Vasiljevićit, megjithatë, ka të ngjarë të jetë i që­llim­shëm. Kur Gjer­ma­nia dhe Austro-Hun­garia i shpallën luftë ndaj Ser­bisë më 1914, aparati pro­pa­gan­dues i shtetit ball­kanik akuzoi armiqtë e tij se ishin pro­shqip­tarë. Hadji-Va­si­lje­vići aludoi në miqë­sinë gjoja të fshehtë gjermano-shqiptare që në fillim të Ko­n­gresit të Ber­linit, por duke bërë kështu për­ligjte një teori të pa­saktë, e cila — ndërsa do­ku­mentet origjinale ishin të pa­njohura — fitoi mbë­shtetje të gjerë në me­sin e dije­ta­rëve. Grupi i stu­di­ues­ve të ma­sh­t­ruar për­fshin his­to­rianin gjerman Hanns Dieter Schan­derl, i cili citon autorin serb.

Memo­randumi i Frashërit e Vrionit para­qet një kapitull të veçantë të his­torisë së lëvizjes kom­bëtare. Për­mbajtja e këtij do­ku­menti ndry­shon duk­shëm nga kum­tesat e zakon­shme që shqip­tarët u dër­gonin auto­rite­teve evro­piane. Dhe ndonëse është për­mendur shumë herë, bren­dia e tij mbetet e pa­njo­hur, çka kërkon për­shkrim dhe analizë të mirë­filltë.

Origjinali 10-faqësh, që bart datën 19 maj 1879 dhe është shkruar me dorë frën­gjisht, gjendet në Arkivin Po­litik të minis­trisë së jashtme gjer­mane në Bon. Viteve të fundit, ar­ki­vistët gjer­manë e kanë për­fshirë do­ku­men­tin në grum­bullin e «ma­te­rialeve të njëjta të sigu­ruara nga burime të ndry­shme», një kla­si­fikim që tre­gon se shqiptarët u dër­gonin të njëjtën për­­mbajtje dele­gaci­o­neve të ndryshme pranë Kon­gresit të Berlinit, me­gjithë­se mjaft shpesh letrat ndryshon va­rësisht dele­ga­cionin. Për­mbajtja është e rëndë­si­shme për të zbu­luar rre­thanat në të cilat janë shkruar doku­mentet, ndër­sa mun­gesa e bashkë­ren­di­mit që është e duk­shme në disa nga shkresat mund të jetë edhe vepër e duar­ve të huaja që syno­nin të për­çanin lëvizjen shqip­tare. Kështu, në ar­kivin e Bonit, ekzis­tojnë tri-katër ver­sione të së njëjtës letër, duke shkak­tuar huti sa i përket klasi­fikimit të tyre. Ndër­kohë, tek­sti i Me­mo­­ran­dumit që Frashëri dhe Vrioni i dorë­zuan Bis­mar­c­kut nuk është plotë­sisht iden­tik me ver­si­onin drej­tuar austro-hunga­rezëve, që ruhet në ar­kivat e Vjenës.

Nëse kopja për Bismarckun mund të quhet mirë­filli për­fa­që­sue­se e Lidh­jes, rrjedh se kah maji 1879, për­qen­d­rimi stra­tegjik i or­ga­niza­tës shqip­tare qe zhven­dosur krye­sisht nga jugu:

Edhe pse Serbisë dhe Malit të Zi u janë dhënë vise të tëra, siç janë Shpu­za, Pod­go­rica dhe Vranja, ne, shqip­tarët, besojmë se duhet të për­mba­hemi nga vep­rimi sepse kjo do të rre­zikonte respektin e Kon­gresit të Berlinit, të cilin e vlerë­sojmë aq shumë. Humbja e këtyre te­rri­toreve nuk ka të njëjtën rëndësi dhe vlerë si pre­ten­dimet e tani­shme greke. Këto do të ishin ka­tas­trofike për ne.

[ … ]

Letra për­shkruan trevat e rrezi­kuara, duke përfshirë Jani­nën, Pargën dhe Pre­ve­zën, si zemrën e Shqipë­risë:

Vlera e Epirit nuk mund të kraha­sohet me te­rri­toret e humbura në veri. Rën­dësia e Epirit është shumë më e madhe, pasi por­tat kyçe shqip­tare, duke për­fshirë Prevezën, Nartën dhe Parga, ndodhen atje. Shqi­pë­ria nuk ka porte të tjera që mund t’u kon­ku­rrojnë [aty­re të Epi­rit]. Për më tepër, këto vise janë me rën­dësi jeti­ke stra­tegjike, ndër më të mirat në Shqi­përi.

[ … ]

Me të drejtë shtrohet pyetja, pse Lidhja zgjodhi të bënte fu­shatë dip­lomatike për jugun, kur veprim­tarët qenë zo­tuar të mbrojnë të gjitha trojet shqip­tare? Në të njëjtën kohë, dis­kutimi kërkon një kraha­sim të terri­toreve veri­ore dhënë Ser­bisë dhe Malit t Zi me viset e jugut, duke vënë në dy­shim nëse këto të fundit ishin në të vër­tetë një rëndësi më të madhe. Teke­mbrama, ç’urti mund t’i bind­te shqip­tarët të hiqnin dorë prej një pjese të at­dheut, me ar­sye­timin se ata kishin për të mbrojtur një pjesë tjetër më të rëndë­sishme? Mos ishte ky për­qen­drim i zhba­lan­cuar shenjë nën­shtrimi ndaj vendi­meve të Kon­gre­sit, apo shqip­ta­­rët thjesht po për­qendro­he­shin në be­tejat që s’i kishin humbur ende?

Natyrisht, shqiptarët nuk kishin hequr dorë nga një pjesë e vendit të tyre për të mbrojtur një tjetër, dhe as Lidhja e Pri­zrenit zyr­tarisht nuk kishte shpallur një qëndrim të tillë. Me­gjith­atë, në rrethana të veçan­ta, organizata shqip­tare u de­ty­rua të mbronte atë që mund të mbro­hej. Ndonëse kjo pikëpamje mbetet e dis­ku­tue­shme, Lidhja ripër­cak­toi qasjen e saj në për­puthje me situ­a­tën. Shqip­tarët bënë qën­dresë të arma­tosur në veri, ku fitoret e tyre ush­­tarake dety­ruan Fuqitë e Më­­dha të rishi­kojnë ven­dimet dhe osmanët u dety­ruan të sulmonin nga toka, ndër­sa evropianët kërcë­nuan në det, për ta shtrënguar Lidh­jen të tër­hiqej nga kër­kesat e saj. Për të mbrojtur ku­firin jugor, ndërkohë, Lidhja vendosi të shte­ronte bu­ri­met diplomatike.

Që shqiptarët të ndry­shonin më­nyrën e tyre ishte një zgje­dhje e natyr­shme pasi vendimet e Berlinit mbi ku­fijtë nuk ishin të një­trajt­shëm. Linja veriore ishte për­fun­dimtare; pro­tokollet ven­dosën kufirin me Malin e Zi dhe për­cak­tuan në ho­llësi statusin e Jeni­pazarit, duke mos lënë hapësirë për mëdyshje, sepse Fuqitë e Mëdha pritnin që Peran­do­ria Os­mane të zba­tonte plotë­sisht ven­dimet, dhe Por­ta e Lartë nuk mund të shmangte hum­bjet terri­to­riale. Megjithatë, çështja qën­dron­te ndry­she në jug, pasi Kongresi lejoi Greqinë dhe shtetin os­man të për­cak­to­nin kufirin vetë me marrë­veshje, me kusht që helenët të zgjero­heshin nga The­salia e Epiri. Megjithëse vendimet e Ber­linit nuk i sak­tësuan tokat që Gre­qia do të anek­­sonte, proto­kolli i seancës XIII para­shi­koi një komi­sion ndër­kom­bëtar për të zgji­dhur mos­marrë­veshjet lidhur me ndry­shimet terri­torial mes dy vendeve.

Rrjedhimisht, ka arsye pse Lidhja zgjodhi të luf­tonte kundër kufirit për­fun­dim­tar në veri, por ndoqi diplo­ma­cinë në çë­sht­jen jugore, e cila mbetej e nego­ciue­shme. Shqiptarët shpre­­sonin të ndi­ko­nin në zgji­dh­jen për­fun­dimtare ose të para­­ndalo­nin ven­dimet e pa­favor­shme dhe të pa­kthye­shme që mund ta bënin dip­lo­macinë krejt të pa­fryt­shme, duke para­lajmë­ruar se nëse s’u mbetej rrugë tjetër, ata do të rrok­nin ar­mët ndaj një kundër­shtari shumë më të për­ga­titur se Mali i Zi.

Read this article in English • Lexoje anglisht

Për­shtatë nga Jusuf Buxhovi, Kosova, vol. 2: Peran­doria Osmane, përkth. Getoar Mjeku (Houston: Jalifat, 2013) f. 215-22. Poshtë­shënimet janë heqë.

Lini një Përgjigje

Top