Kush është shqiptari i cili po tenton t’ia kthejë gjallërinë Medvegjës ?

Shkruan: Jeton Ismaili 

Një rrëfim për afaristin e suksesshëm, humanistin, inicuesin e shumë organizimeve dhe njohësin e diplomatëve të nivelit botëror.

Një tabelë me mbishkrimin ‘’Brahim Curri’’ që sinjalizon kahjen në të majtë, të shpie në një lagje periferike të fshatit Tupallë të Medvegjës. Pak metra larg saj, shfaqet një shtizë me flamurin tonë kombëtarë i cili nuk pushon së valvituri nga era e fortë e një dite vjeshte.

Muharrem Salihu

Derisa vëmendja jonë ishte e përqendruar në shkabën dykrerëshe, të bien në sy shtëpitë dhe prona familjare e Muharrem Salihut. Të ndërtuara me një stil bashkëkohorë por edhe me elemente të traditës sonë, krijohet përshtypja se ndodhesh buzë bregdetit italian apo rivierës franceze.
Pronat e familjes Salihu ndodhen pak metra nga rrënojat e tri kalave të Perandorisë Romake, të ndërtuara shekuj më parë nga Perandori Ilir, Justiniani.
Bashkë me mikëpritjen e ngrohtë, Salihu fillon rrëfimin e tij për të kaluarën e cila ishte e përshkuar me plot peripeti.

Hyrja në njërën nga lagjet e fshatit Tupallë të Medvegjës

Fëmijëria e vështirë, shkollimi dhe ikja nga vendlindja

‘’Qysh si fëmijë të gjitha këto rrugë të Malësisë së Medvegjës i kam ecur në këmbë ngase më është dashur që mësimet e shkollës fillore t’i ndjek në shkollën e Sijarinës dhe Tupallës.. Më së vështiri e kisha gjat stinës së dimrit ku bora kalonte edhe dymetërshin’’, thotë Salihu i cili aspak të lehtë s’e kishte as shkollimin e mesëm në Medvegjë, ngase çdo ditë duhej të kalonte në këmbë dhjetra kilometra për në qytet.
Pas vuajtjeve fëmijërore dhe atyre të adoleshencës, Salihu ia kishte mësyer kryeqendrës së Kosovës, Prishtinës, ku për katër vite kishte kryer studimet e pedagogjisë. Për të ndihmuar veten, por edhe vëllezërit të cilit ishin poashtu studentë, Muharremi gjat pushimeve sezonale shpesh vante për të punuar në Zvicër si punëtor sezonal, meqë atje tashmë i kishte shkuar edhe i ati.
Mungesa e perspektivës në vendlindje kishte detyruar Salihun që në shtetin helvetik të aftësohet edhe për një profesion tjetër i cili më vonë doli t’ia hap shtigjet e suksesit.
‘’Në vitin 1992 mbarova specializimin për turizëm dhe hotelieri’, thotë tupallasi i cili që në atë kohë kishte ndihmuar edhe organizimin e diasporës Medvegjase në Zvicër.

Muharrem Salihu gjatë votimit në Referendumin e vitit 1992

Ai bëhet bashkëthemelues i shoqatës humanitare ‘’ Medvegja’’ duke u zgjedhur njëkohësisht edhe sekretar i saj. Shoqata Humanitare nga Medvegja u bë mjaft e njohur me kontributin e saj humanitar, por veçohet me organizimin e diasporës për Referendumin e vitit 1992, ku Salihu si sekretar i përgjithshëm pati një barrë te madhe në përgatitjen dhe realizim e tij.
Pak vite më vonë Salihu përfundimisht orientohet në profesinonin e tij pasiqë pranohet nga një konkurs i shpallur më parë në Torino të Italisë.

Si e njohu reformatorin e ish-Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, administratorin e gjigandit automobilistik “FIAT”, si ushqeheshin futbollistët e Juventusit, dhe si u promovua turizmi në Shqipëri pas diktaturës.

Ne kryeqytetin e Piemontes, Torino, ish- biblioteka e Camillo Benso Conte di Cavur, ndryshe i njohur si ministri i parë që në vitin 1861 arriti të bëjë unifikimin e Italise, “por jo edhe të italianëve” me vendim të autoriteteve torineze po shndërrohej në një restorant luksoz i cili nuk ishte i hapur për klientelën e gjerë por vetëm për personalitete të ftuara dhe agjenda protokolare. Për katër vjet me radhë, duke qenë drejtor, Salihu kishte arritur që restorantin ta shndërrojë në një lokacion me renome botërore. Aty frekuentonin personalitete të rëndësishme të jetës politike dhe publike anembanë globit. Burrështetas, kryeministra, ministra, diplomat, këngëtarë, operatorë ekonomik,…nuk iknin nga Italia pa shijuar gatimet e stafit i cili menaxhohej nga Muharrem Salihu. Ndër mysafirët e njohur ishte edhe reformatori i ish-Bashkimit sovjetik Mihail Gorbaçov, administratori i gjigantit automobilistik “FIAT”, ndërsa mos të flasim për futbollistët e Juventusit të cilët këtë objekt hotelierik e kishin si shtëpinë e tyre të dytë. Nuk kishte gazetë italiane dhe pjesë shtypi nga e gjithë Evropa që të paktën nuk i’a kishte kushtuar një artikull restorantit të famshëm.

Ballinat e shtypit Italian për Salihun

Gjatë kohës që po menaxhonte me restorantin“ LA SMARRITA” në Torino, Salihu krijon kontakte të shumta me personalitete institucionale dhe politike të republikës së Italisë. Kështu ai nuk mund t’i thoshte Jo një kërkese në formë lutjeje dhe më 1994 inkuadrohet në cilësinë e kordinatorit teknik në mes të një operatori turistik italian dhe Ministrisë së Turizmit të shtetit shqiptar për të koordinuar këtë lëmi me pjesën tjetër të botës. Për dy vite të tëra, Salihu shpalos perlat e Shqipërisë gjithandej dhe bëhet ndër personat më të merituar për promovimin e potencialeve turistike shqiptare tek të huajt.

Kthimi në vendlindje

Por malli për atdheun nuk kishte pushuar asnjëherë tek Muharremi. Pak vite para luftës, më 1996 ai kthehet në Medvegjën e tij të dashur dhe fillon shikimin e mundësive potenciale për investime në vendlindje. Regjimi i atëhershëm i Millosheviqit i’a kishte pamundësuar të blejë Ndërmarrjen Shoqërore “ Jugodrvo “, megjithatë, Muharremi falë aftësive të tij organizative arrinë që nga e para ta ngrisë një kompani për përpunimin e drurit. U desh pak kohë që uzina e tij të ngritet majave të suksesit, jo vetëm në Medvegjë por edhe shumë më gjerë. Kështu, në një moment kompania e Salihut kishte krijuar më tepër qarkullim vjetor sesa krejt komuna e Medvegjës.

Lufta…, fillimi i bombardimeve të NATO-s, ikja nga aerporti i Beogradit, misioni i pamundur për evakuimin e 52 personave

Nisja e luftës në Kosovë pati jehonë të pashmangshme edhe në Medvegjë por edhe tek vet Muharrem Salihu. Ai tanimë çdo ditë e më tepër po ballafaqohej me presione të ndryshme nga ana e pushtetit serb. Vetëm në një rast, atij në doganën e Leskovcit pa ndonjë arsye i konfiskohen mallra me vlerë prej mëse 300.000 markave gjermane .
Fillimi i bombardimeve të NATO-s për pak sa nuk përfundon siç është më së keqi për Salihun. Në pasditen e 24 marsit të vitit 1999 ai qe dashur të fluturojë nga aeroporti i Beogradit për një takim të aranzhuar më parë drejt Italisë. Me të lexuar emrin e tij në pasaportë, policët serbë e ndalojnë për ta futur në një dhomë që shërbente si stacion policor në terminalin e aeroportit. Tashmë ai jo vetëm që po humbte itinerarin drejt Romës por edhe jetën e kishte në rrezik.
Por, ndodh mrekullia. Kur i gjithë stafi i aeroportit gati se ishte larguar, arrijnë diplomatët e ambasadës gjermnae të cilët po linin Beogradin i cili ishte në prag të luftës. Rastësisht, ata e vënë re Salihun nga një dritare dhe kërkojnë nga një punëtor i mbetur t’i hapet dera. Pa bërë zhurmë ata e marrin me vete duke e drejtuar nga pista ku kishte arritur enkas aeroplani për evakuimin e stafit të ambasdës. Pak minuta pa rënë bombat e para, Salihu niset drejt Berlinit me aeroplanin e fundit që po fluturonte nga Serbia.
Por, fushata ajrore ndaj Serbisë do t’i sillte edhe shumë peripeti tjera Muharremit. Pjesa më e madhe e familjes i kishte mbetur në komunë të Medvegjës. Ndërsa nje numër i madh i medvegjasve po ndiqeshin nga shtëpitë e tyre në Prishtinë, dhe përfundojnë në kërkim të strehimit në fshatin Marec duke tentuar kalimin në Medvegjë. 52 familjarë dhe bashkëvendas të Muharremit bien në duartë e ushtrisë serbe. Përveç burgosjes së vëllaut të tij, Abaz Salihut, i cili kishte shkuar per t’i ndihmuar, meqë kryesisht kishte fëmijë, gra dhe të moshuar, edhe të tjerët i mbajnë të izoluar duke i’a plaçkitur dhjetëra mijëra franga zviceriane, ndërsa disa madje edhe i burgosin
Mundësitë per t’i ndihmuar ishin te kufizuara!, Salihu merr për vete një mision të rezikshëm dhe gati të pamundur. Në vrullin e luftës me NATO-n niset nga Italia për në Bullgari, prej nga futet në Maqedoni dhe arrinë në Leskovc, aty ku e kishte të burgosur vëllaun bashkë me disa burra dhe gra të moshuara mbi 70 vjeç, të cilët tani më po vuanin një dënim të gjykatës komunale me burgim prej 90 ditësh.
Një mision klandestin, i kishte mbetur shpëtimi i vëllaut të tij në burgun e Leskocit. Atij po i përgatitej një aktakuzë për logjistikë terrorizmi nga Gjykata e Qarkut që përkonte me një dënim prej 7 vitesh burgim. Në momentin e transferimit të vëlluat nga burgu për në gjykatë, Salihu arrin ta “ kidnapoj “ atë duke e dërguar në fshehtësi maksimale drejt Maqedonisë.
Fundi i bombardimve nuk ishte edhe fundi i vuajtjeve për popullatën e Medvegjës dhe familjarët e Muharrem Salihut. Tani po nodhte më e keqja. Për shkak të stacionimit të forcave policore dhe ushtarake nga Kosova në komunë të Medvegjës, pjesa dërmuese e popullatës shqiptare detyrohet t’i lë vatrat e veta për të kërkuar strehim në pjesën tjetër të kufirit.
Për shumicën e medvegjasve ky do të thoshte edhe një largim i përjetshëm. Meqë familja e Salihut ishte me më zë në këto anë, pjesës dërmuese u bëhet e pamundur të kthehen në vendlindje. Edhe ata pak familjarë që arritën të kthehen pas vitit 1999 çdo gjë kishin filluar nga e para. Përfshirë këtu edhe riinstalimin e energjisë elektrike, meremetimin e shtëpive, etj, ngase pushteti jo që ofronte ndihmë, por përkundrazi krijonte vetëm pengesa.
Në këtë komunë pothuaj se jeta vdesë. Edhe vet Muharremi angazhohet në Kosovën e çliruar, ndërsa në fillim të viteve të para të milineumit të ri punon si konsultent për turizëm në Katar, Dubai dhe Odesa.

Vendosja në Venecia dhe ngritja e perandorisë në hotelieri, hapja e fabrikës në Medvegjë

Pas mbarimit të një misioni disa vjeçar, ai përsëri shkon drejt Italisë. Kësaj here vendstacionimi i tij do të ishte qyteti i bukur i Venecias.
Brenda pak kohësh, Salihu arrin që të ngris edhe biznese të veta falë punës së palodhshme, ndaj sot është pronar i 6 restoranteve dhe dy hoteleve luksoze në zemër të Venecias.
Prap se prap, ëndrra për ta parë Medvegjën e tij të gjallëruar nuk e le rehat asnjëherë. Pas vitit 2010 tenton t’i blejë disa ndërmarrje shoqërore brenda kësaj komune, por përsëri pengohet nga pushteti serb. Përfundimisht, në vitin 2013 arrin të blejë ish-fabrikën e tekstilit Nitex, të cilën e shndërron në fabrikë për prodhimin e çorapeve.

Fabrika për prodhimin e çorapeve në Medvegjë

Sot kjo fabrikë numëron rreth 70 të punësuar dhe është e vetmja e sukseshme në komunë të Medvegjës, kurse i gjithë prodhimi shkon për nevojat e tregut Italian.
Vet hollet e fabrikës janë të pajisura me teknologji bashëkokore të gjeneratës së fundit, kurse stafi menaxherial dhe punëtorët janë falenderues deri në qiell për pronarin e tyre.

Veprimtaria politike dhe organizative

Asesi biznesi nuk e ka penguar Salihun që të merret me veprimatri politike dhe organizative. Në vitn 2013 ai themelon Forumin shqipatr Për Zhvillimin Ekonomuk në Serbi-AFEDS. Në kuadër të tij, Salihu ka plane megalomane për zhvillimin jo vetëm të Medvegjës por në përgjithësi Luginës dhe gjithë jugut të Serbisë. Ai ka parteneritet të ngushtë me investitorët italianë, por shteti i Serbisë është pengesa kryesore që ky projekt ta shoh dritën në këto troje.
Ky forum, angazhohej që në zgjedhjet e fundit për Këshillin Kombëtar të Shqipatrëve të vitit 2018, institucioni të përfaqësohet nga ekspertët e jo nga subjetet politike, por nisma e Salihut për fat të keq pengohet nga këto të fundit.

Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptërve të Medvegjës ka detyruar Salihun që të garojë edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Ai përsëri kishte tentuar të bëjë unifikimin e faktorit politik shqiptarë për të kandiduar me një listë të përbashkët në zgjedhje, por prap pa sukses,. Megjithatë, ai duke qenë bartës i Listës së Alternativës për Ndryshim, kryetar i Degës të së cilës është, kishte arritur të siguroj dy mandate te këshilltarëve në Kuvendin Komunal.
Sidomos pasivizimi i vendbanimeve, por edhe problematikat tjera kan shtrënguar Salihun të jetë shumë këmbëngulës në takime me diplomat të huaj por edhe më përfaësues institucional e politik nga Kosova e Shqipëria. Vetëm muajve ë fundit, Salihu ka takuar përfaqëues të institucioneve relevante në Romë,Bruksel, Hagë, Njujork, etj. Kishte dërguar edhe me dhjetëra shkresa në adresë të kancelarive të ndryshme evropiane e botërore dhe përfaqësive diplomatike në Beograd.
Përveç aktiviteteve afariste e politike, Salihu është edhe një humanist i madh. Ai ka ndihmuar shumë luftën e Kosovës, familjet në nevojë dhe shume aksione tjera anekënd viseve shqiptare.

Përndjekja nga regjimi dhe planet për të ardhmen

Ndoshta, e gjithë veprimtaria e Salihut është bërë halë në sy për pushtetin e Beogradit. Ka vite të tëra që endet gjykatave serbe për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar në Tupallë të Medvegjës. Sikurse babai i tij, i cili ishte ndër organizatorët kryesorë të Referendumit të vitit 1992, edhe Muharremi është bërë pre e presioneve të regjimit.

Por, kjo aspak nuk po e ndalon të bëjë të pamundurën dhe të ngjallë sadopak shpresat e medvegjasve për vendlindjen. Pothuaj se si në shenjë hakmarrje, Salihu në Tupallë ka ngritur një Muze i cili do të pajiset me elementet e traditës dhe të kaluarës sonë, jo vetëm nga treva e Medvegjës por nga e gjithë bota.

Muzeu në Tupallë të Medvegjës

Edhe pse është një afarist i suksesshëm dhe njohës i shumë gjuhëve, meqë flet, anglishten, frengjishten, italishten, turqishten ,… dhe se ka pak vende të globit ku nuk ka shkelur këmba e tij, por përveç tjerash, është edhe pronar i tri kompanive ne Itali, një kompanie financiare të nivelit global me seli në Maltë, një kompanie ne Gjenevë dhe njërës në Nju York, planet e tij përkojnë me zhvillimin e Medvegjës dhe tërë Luginës.
Ai ka ide dhe projekte se si të hap fabrika dhe krijojë vende të reja pune. Ai ka shumë miq të nivelit global për të cilët thotë se mund te kemi perfitime reciproke. Por ka edhe një hall të madh. E ky është mos unifikimi i faktorit shqiptarë në Luginë. Për një gjë të tillë dhe për avancimin e pozitës së Medvegjës dhe Luginës, Salihu po punon çdo ditë. Ai po përshkon me dhjetëra mijëra kilometra çdo muaj dhe çdo javë për të të senzibilizuar çështjen e shqiptarëve. Të gjitha këto po i bënë nga xhepat e tij meqë nuk është pjesë e kurfarë pushteti e asnjë lloj buxheti të karakterit publik.
Salihu ka shumë vërejtje tek subjektet politike shqiptare në Serbi të cilat pretendojnë ta mbajnë primatin e të qenurit organizime rajonale, për të cilat thotë se asnjëherë nuk kanë pasur gatishmëri për një gjë të tillë, duke harruar veçanarisht Medvegjën, por edhe shumë bashkombas tjerë të cilët jetojnë në Novi Sad, Nish, Beograd, etj.
Ai është i mendimit se koha kërkon që shqiptarët të jenë të bashkuar në veprime dhe të shtrirë në përfaqësime. E mundon shumë thërmimi i shqiptarëve nëpër shumë subjekte.
“ Po të ishim të bashkuar nuk do t’mund të na ndalte askush “, janë fjalët të cilat shpesh përsëriten nga goja e Muharremit. S’do mend se ka të drejtë. Nuk mund të na bënte gjë askush. Asnjë stuhi, asnjë fortunë, dhe madje, as përmbytja e fundit e Venecias sikurse që nuk arriti t’i bëjë dëmë Muharrem Salihut…

( Autori është gazetar nga Lugina e Preshevës)

Lini një Përgjigje

Top