PELLGU I OHRIT, SKENË KU U LUAJT HISTORIA DHE KU DO TË PROJEKTOHET ARDHMËRIA

Shpresoj që QRTK në Strugë do të jetë strumbullar i të gjitha aktiviteteve hulumtuese-kërkimore në terren, duke nxjerrë nga pluhuri i perdeve të mbyllura kohore detaje të pazbardhura që lidhen me bëmat dhe figurat e shquara nga Pellgu u Ohrit. Shpresoj në përkrahjen edhe të intelektualëve e profesionistëve të fushave të ndryshme nga ky rajon, të cilët me kontributet e tyre do të mund të na ndihmonin në kompletimin e mozaikut etno-kulturor të këtij Pellgu, duke u bërë kështu bashkudhëtar të një procesi të rëndësishëm të institucionalizimit të kujtesës historike të cilin po e inicion ITSHKSH në Shkup.

Nga Nora MALIQI ZYLALI

Ditë më parë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve në Shkup në kuadër të shtrirjes së aktiviteteve të veta kërkimore-hulumtuese në terren, përmes Departamentit të Muzeologjisë, ka vendosur që të hapës disa Qendra Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, me qëllim të ndriçimit të vlerave material e shpirtërore të trevave tona, të cilat në të kaluarën nuk kanë qenë në fokus të kujdesit të mjaftueshëm institucional.

Një prej këtyre Qendrave do të mbulojë edhe Pellgun e Ohrit, veprimtaria e së cilës do të zhvillohet në Strugë dhe do të mbajë emrin e Rilindasit të kësaj treve, Dervish Hima. Si një bijë që vjen nga kjo trevë, funksionimi i kësaj Qendreje paraqet një satisfaksion moral dhe profesional edhe për mua, sepse tash e në të ardhmen do të jem pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të ITSHKSH për shtrirjen e aktiviteteve kërkimore-hulumtuese edhe në këtë pjesë jugperëndimore të viseve tona etnike, mjaft e lavdishme, por jo sa duhet e studiuar dhe e ndriçuar në aspektin historiko-shkencor.
rsyet janë të shumta, por ne do ti përmendin disa, që lidhen drejtpëdrejt me domosdonë e themelimit të kësaj qendre në Strugë, që në fokus të interesimit do ta ketë tërë Pellgun e Ohrit, si në aspektin e kontinuitetit të pandërprerë gjeografik të hapësirës shqiptare, po ashtu edhe në aspektin e pasurisë materiale e shpirtërore nga kjo trevë, ku gjithsesi bëjnë pjesë edhe figurat e lavdishme historike si dhe shumë ngjarje që ishin pjesë e zhvillimeve të përgjithshme me karakter gjithëkombëtar.

Pellgu i Ohrit shtrihet në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, kurse koordinatat e shtrirjes kapin një gjerësi ndërmjet maleve Jabllanica, Malit të Belicës dhe Mokrës në perëndim, Galiçicës, Petrinjës, Malit Pllaçin dhe Ilien në lindje, Stogovës dhe Karaormanit në veri dhe krahinës malore Gora në jug.

Strugën dhe Ohrin i bashkon një liqe i lashtë miliona vite dhe këtu historia kishte vendosur një skenë të madhe ku u zhvilluan shumë ngjarje dhe u ndërthurën shumë fate brezash nëpër labirintet e kohës. 

Struga ka një histori të bujshme që nga antika, si për nga vendndodhja e saj gjeografike e etnokulturore, ashtu edhe për nga rëndësia e këtij rajoni në lidhjet transversale Lindje– Perëndim që bëheshin përmes rrugës së vjetër romake ViaEgnaia, e cila kalonte pranë Strugës.
Emri i vjetër ilir i Strugës ishte Enhallon, kurse fisi i ilir i enkelejve e ndërtoi vendbanimin e parë me emrin Lyhnidos, ose Ohrin e sotëm.

Në vitin 1462, Skënderbeu zhvilloi një betejë të lavdishme kundër ushtrisë Otomane dhe e futi nën kontroll Ohrin dhe rajonin rreth tij.

Për trashëgiminë e vjetër materiale të kësaj treve, dëshmon edhe nekropola në fshatin Trebenisht, si dhe bazilikat romake dhe bizantine në Ladorisht,Oktisi dhe Dollogozhdë. Pellgu i Ohrit njihet si vendlindje e Gropajve dhe Enkelejdëve. 

Madje Homeri, në Iliadën e tij i permëndEnkelejdët, krahas fiseve tjera ilire, të cilët luftuan kundër Akejve në Luftën e Trojës, si aleatë të mbretit Prianit dhe Hektorit në mbrojtjen e Trojës.
Për të vazhduar pastaj tradita e lavdishme me personalitete të shquara që dolën nga kjo zonë, siç ishte Rilindasi nga Ohri, DervishHima, një publicist dhe patriot i dalluar, i cili në vitin 1912 mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe u zgjodh anëtar i Pleqësisë. Veprimtarinë e tij atdhetare ai e kishte të fokusuar kryesisht në fushën e publicistikës dhe për rrjedhojë themeloi disa gazeta, ndër të cilat si më të njohurat janë “Arnautlluk”, e cila u botua në Stamboll e më pas “Albania” në Zvicër. Në vjeshtë të vitit 1917, ai u emërua inspektor shkolle për rrethin e Tiranës nga autoritetet Austro-Hungareze, dhe në vitin 1920 u bë drejtor i parë i Zyrës Shqiptare të medies dhe lajmeve.

Publiku i gjerë shqiptar, sidomos të rinjtë, shumë sipërfaqësisht janë të njohur me këtë personalitet emblematik që vinte nga Pellgu i Ohrit, kurse me hapjen e QRTK në Strugë, kujtesa historike që lidhet me këtë figurë do të pastrohet nga pluhuri i harresës. 

Nga liqeni i Ohrit del Drini Zi, i cili kalon nëpër Strugë dhe bashkohet me Drinin e Bardhë, në afërsi të Kukësit dhe kjo është një simbolikë jo vetëm natyrore, por edhe etno-psikologjike, sepse ky rajon bashkon edhe gegninë me toskërinë, kurse fenomeni etno-lingustik i këtij bashkimi ka sjellur nga lashtësia deri në ditët e sotme koloritin e pasur të trashëgimisë kulturore, që shpërfaqet përmes një laryshie ngjyrash në kostumet popullore, si dhe përmes lirikës dhe epikës muzikore. Kjo zatën ka ndikuar që Pellgu i Ohrit të njihet edhe si trevë që ka kultivuar dhe ruajtur brez pas brezi motivet e bukura në këngë dhe poezi. 

Në Strugë disa dekada me radhë mbahen dy manifestime të rëndësishme poetike e muzikore – ‘Mbrëmjet e poezisë’ dhe Festivali “Këngë Jeho”.

Struga njihet edhe qytet i solidariteti dhe sakrificës. Këtu veproi me vite të rëra shoqata humanitare bamirëse ‘Nëna Tereze’ e cila gjatë okupimit serb të Kosovës, ishte një prej burimev të rëndësishme furnizimi me ushqime e veshmbathje. Por edhe në muajt e vështirë të dëbimit të shqiptarëve të Kosovës nga vatrat e tyre, Struga dhe shumë vendbanime tjera në Pellgun e Ohrit, hapën dyert e mikëpritjes dhe strehimit për qindra halleqxhinjë.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Strugë do të ketë në fokus të interesimit edhe rolin e këtij rajoni në procesin e emancipimit dhe edukimit për shumë dekada. Nga kjo trevë u shpërndanë dhjetëra arsimtarë e arsimtare, të cilët e mbollën farën e diturisë në rajonin e Kumanovës e Preshevës, Drenicës e Llapit, Dukagjinit e Anamoravës dhe aktualisht shumë të moshuar që ndodhen në pension i kujtojnë me mall mësuesit tyre të dashur struganë.
Struga nxori një elitë të lavdishme intelektuale, që u dallua në shumë fusha me një kontribut madhor në letërsi, mjekësi, aktrim, jurisprudencë, publicistikë, ekonomi, inxhinieri etj.
Por, një meritë gjurmëlënëse më përmasa më të gjera kombëtare, i atribuohet mërgimtarëve struganë, të cilët me aktivitete e tyre lobuese në shtet tejoqeanike, sidomos në SHBA, ndikuan në sensibilizimin e çështjet shqiptare tek institucionet e ndryshme të administratës amerikane.

Kurse profili i gruas strugane meriton një kapitull të veçantë studimi, për arsye se Struga dhe komplet Pellgu i Ohrit, njihen tradicionalisht si fidanishte e kuadrove shqiptare, të cilat me përkushtim e dashuri ushtruan profesionin e mësuesisë, mjekësisë, ekonomisë etj. Ndjehem shumë e lumtur që edhe unë i takoj kësaj tradite iluministe shqiptare nga kjo trevë, ku gruaja, bashkë me burrin, ka qenë prezente në të gjitha fazat e zhvillimit shoqëror. 

Shpresoj që QRTK në Strugë do të jetë strumbullar i të gjitha aktiviteteve hulumtuese-kërkimore në terren, duke nxjerrë nga pluhuri i perdeve të mbyllura kohore detaje të pazbardhura që lidhen me bëmat dhe figurat e shquara nga Pellgu u Ohrit. Shpresoj në përkrahjen edhe të intelektualëve e profesionistëve të fushave të ndryshme nga ky rajon, të cilët me kontributet e tyre do të mund të na ndihmonin në kompletimin e mozaikut etno-kulturor të këtij Pellgu, duke u bërë kështu bashkudhëtar të një procesi të rëndësishëm të institucionalizimit të kujtesës historike të cilin po e inicion ITSHKSH në Shkup.

Lini një Përgjigje

Top