Letra prekëse e mësuesit shqiptar për gruan e tij para pushkatimit nga regjimi komunist

Këto fjalë janë shkruar në një dhomë të errët, në qelitë e burgut të Shkodrës. Mësuesi Mark Shllaku ishte dënuar me pushkatim nga regjimi komunist, për agjitacion dhe propagandë dhe për angazhim në një celulë të PSD-s.

Mark Shllaku ishte vetëm 31 vjeç, kur mësoi se po shkonte drejt pushkatimit. Në shtëpi, kishte lënë bashkëshorten Angje dhe dy bijat e saj. Juli, vajza e Mark Shllakut, ishte vetëm 8 vjeç në atë kohë kur i ati ishte dënuar me pushkatim. Edhe pse ishte fëmijë i mitur, ajo u përball me ngjarjen e rëndë që po ndodhte në jetën e saj, vrasjen e të atit.

Me nxitjen e së ëmës, Juli u detyrua t’i lutej kryetarit të degës që të mund ta lejonte të shihte babanë për herë të fundit. Pak ditë para se të pushkatohej, Juli dhe e ëma, Angjia e takuan për pak minuta Markun. Atë ditë, Marku i tha Angjes, se kur t’i merrte sendet e tij personale pas pushkatimit, atje do të gjente një letër me disa informacione të rëndësishme.

“E dashtuna Angje e fëmijë!
Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin.

Mos u mërzit për mue vetëm m’i rrit fëmijët me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borxh i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja per mue.

E dashtuna Angje!
Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë.
Angje! Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mramë të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit.

E dashtuna Angje!
Të lutem me m’i ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.
Të lutem me mu interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me mi çu në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.
Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.
Marku.”

Image

Lini një Përgjigje

Top