Shqipëria nis rimëkëmbjen pas tërmetit, deri më 15 dhjetor do të bëhen me shtëpi familjet e prekura

Deri më 15 dhjetor do të bëhen me shtëpi të gjithë të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili goditi Shqipërinë. Kështu ka njoftuar kryeministri shqiptar Edi Rama. Ndërkohë prokuroria ka nisur hetimin për ndërtesat e dëmtuara.

Është bërë një javë prejse Shqipëria u godit nga tërmeti me magnitudë 6.4 ballë të Rihterit, i cili la të vdekur 52 qytetarë, qindra të lënduar e mijëra të tjerë pa kulm mbi kokë, megjithatë kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se deri më 15 dhjetor do të bëhen me shtëpi të gjithë ata që tash e një javë janë akomoduar nëpër hotele ose tek të afërmit. Ai po ashtu njoftoi se çdo muaj do t’u jepet ndihmë financiare të mbijetuarve të tërmetit, që la të shkatërruara disa zona të Shqipërisë. Shteti shqiptar deri tani ka pranuar ndihma të shumta nga shtetet mike, ndërsa dje u bë e ditur se Turqia përfundimisht do t’i bëjë me shtëpi 500 familje të prekura nga tërmeti. Ndërkohë në Durrës e në Tiranë prokuroria e vendit ka filluar hetimet për ndërtimet që u dëmtuan nga tërmeti. Sipas prokurorisë para ligjit do të dalin të gjithë ata që bënë shkelje.

Shtëpi dhe pensione mujore për të prekurit nga tërmeti

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar se të gjitha familjet, të cilat janë të prekura nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, do të jenë me shtëpi deri më 15 dhjetor. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama ka lajmëruar për të dhënat më të reja, sa u përket njerëzve që kanë rënë viktimë e këtij tërmeti, duke thënë tutje se aty ku shumë njerëz humbën jetën dhe të tjerë u lënduan do të ndërtohet një çerdhe.

Ndër të tjerash Rama ka bërë të ditur se për personat të cilët kanë mbetur të vetëm do të ndahen 100 mijë lekë të reja në muaj. “Maksimumi më 15 dhjetor të gjithë do të jenë në shtëpi të re me 1 milion lekë të reja në dorë. Trajtim të posaçëm shtetëror 100 mijë lekë të reja në muaj për gjithë jetën atyre që kanë mbetur fillikat”, ka thënë ai.

Po ashtu Rama bëri të ditur se pension të posaçëm me 60 mijë lekë të reja në muaj do të marrin edhe të moshuarit, ndërsa bursë 15 mijë lekë në muaj do të përfitojnë nxënësit e studentët deri në fund të studimeve.

Lini një Përgjigje

Top