Vazhdojnë gërmimet për të pagjeturit, familjarët të pakënaqur

Autoritetet e Kosovës, gjatë vitit 2019, kanë kryer gërmime në 26 lokacione brenda territorit të Kosovës, të dyshuara për varreza masive dhe gërmimet në Kampusin universitar në Prishtinë, të cilat përfunduan rreth tre ditë më parë pa gjetje, nuk janë të fundit për këtë vit thonë zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.

Megjithatë, Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht numrit të lokacioneve të proceduara dhe në të cilat janë kryer gërmimet gjatë këtij viti, mbetet shqetësues numri i paktë i gjetjeve të mbetjeve mortore apo pjesëve kockore.

“Janë diku mbi 20 për qind nga ky numër i përgjithshëm i lokacioneve që kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore. Janë zhvarrosur të paktën gjashtë apo shtatë persona, por megjithatë do të kursehem pak nga këto statistika, për shkak se vetëm pasi që të përfundojnë të gjitha ekzaminimet nevojshme mjeko-ligjore dhe pasi të përfshihen në këto raste edhe identifikimet përmes analizës së ADN-së, mund të konfirmohet numri i saktë i individëve apo personave të zhvarrosur”.

Gara thotë se beson që edhe në këtë javë, përkatësisht, nga e mërkura, do të jenë në lokacionin e shënjuar brenda hapësirës së varrezave në Mitrovicë të Veriut.

“Edhe në këtë lokacion kemi punuar paraprakisht, në disa raste, nga të cilat, në disa pika, disa prej gërmimeve kanë rezultuar me gjetje dhe në disa rezultati ka qenë negativ”, tha ai.

Por, përfaqësuesit e Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, shprehen të pakënaqur me punën e deritashme që është bërë për hulumtimin, gërmimin dhe gjetjen e mbetjeve mortore apo zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Lini një Përgjigje

Top