Ilir Meta ndan medalje për ushtarët e FKS-së që ndihmuan Shqipërinë e goditur nga tërmeti

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z Ilir Meta, i cili shoqërohej nga kryeministri në detyrë, z. Ramush Haradinaj, qëndroi sot në kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së në Prishtinë, për të dekoruar njësitin e kërkim-shpëtimit të FSK-së, për kontributin e dhënë; në shpëtimin e njerëzve, pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri.

Presidenti Ilir Meta u prit nga komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, e ku merrnin pjesë edhe gjeneralë, oficerë, nënoficerë të FSK-së dhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit.  

Me këtë rast, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka falënderuar FSK-në, për reagimin e shpejtë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, në Durrës dhe Thumanë.

„Të dashur shpëtimtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Policisë të cilët u paraqitën në orët e para të një beteje midis jetës dhe vdekjes, nuk ka vlerësim më të mirë se sa t’ju quaj shpëtimtarë të gjithë juve“- ka thënë presidenti Meta.

Presidenti Meta, u shpreh se Kosova duhet të jetë krenare për Forcat e Sigurisë, për të shtuar se çdo vend i NATO-s, do të ishte i kënaqur me atë që ka shfaqur FSK-ja gjatë ditëve të kërkim-shpëtimit në Shqipëri, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin. Presidenti Meta, shprehu konsideratë edhe për qenin hero të FSK-së, i cili shpëtoi jetë pas tërmetit.

Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta, ka ndarë Dekoratën e Artë të Shqiponjës për Task-Forcën e FSK-së dhe Dekoratën për Merita  të Veçanta  për njësitin K-9 të FSK-së.

Ndërsa, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha: „Ne jemi unik si kurrë më parë, sepse të bashkuar s’ka tërmet që na ligështon! Sot, jemi të gjithë të nderuar nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, me ndarjen e dekoratave për njësitet e kërkim- shpëtimit të Kosovës që shërbyen për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit tragjik. Këtë nder na e krijoi Ushtria jonë, e cila me profesionalizëm e në heshtje, pa mburrje e vet-reklamë kreu misionin e saj të shenjtë kushtetues dhe patriotik, që ia ka besuar populli i Kosovës“.

Kurse komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pasi i dëshiroi mirëseardhje presidentit të Shqipërisë z. Ilir Meta, në emër të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, tha se: „Angazhimi i njësisë së kërkim-shpëtimit na ka bërë që të ndihemi krenarë jo vetëm si FSK dhe Ministri e Mbrojtjes por edhe të gjithë Kosovën. Vlerësimi i sotëm së bashku me mirënjohjen dhe vlerësimin që na kanë dhënë qytetarët e zonës dhe tërë Shqipërisë, na kanë bërë që të ndihemi mirë dhe krenarë.“

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, në fund tha se FSK-ja është e gatshme të merr edhe përgjegjësi të reja. „Ky mision dëshmoi pjekurinë e FSK-së, që është e gatshme për të marrë pjesë në misione humanitare jashtë vendit, duke treguar nivel të lartë të koordinimit dhe bashkëveprimit me ushtrinë shqiptare dhe njësitë emergjente të shteteve tjera të pranishme në këtë mision“. 

Lini një Përgjigje

Top