KOSOVA NUK GUXON TË JETË VRIMË GJEOPOLITIKE E BALLKANIT


Ka plot cuba politik e 
parapolitik sot në Ballkan që lehtësisht mund ti bashkojnë përpjekjet e tyre në ndonjë projekt destabilizues, kurse Kosova mund të jetë një nga caqet e këtij projekti 

Nga Mehmet PRISHTINA

Kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga zgjedhjet e parakohshme dhe ende nuk ka një marrëveshje për qeverinë e re. Boshllëku institucional që po shfaqet aktualisht, ndonëse ende po funksionon Qeveria e përkohshme prej pesë muajsh, mund të ketë pasoja në disa plane për të ardhmen e vendit, duke rriturpakënaqësinë e qytetarëve dhe bizneseve.

Sipas ligjeve në fuqi qeveria e Kosovës do të duhej të miratonte buxhetin dhe ta dërgonte në Parlament deri më 31 tetor, ose deri në afatin e fundit të lejuar që është 31 dhjetori. Në rast se kjo nuk ndodhë deri me 31 dhjetor, Ligji parasheh që Parlamenti mund të autorizoj shpenzimin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit të kaluar. Por kjo shumë mund të shpenzohet vetëm deri në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm, thonë ekspertët.
Për ta kapërcyer një pjesë të krizës momentale, Qeveria në detyrë ka miratuar vetëm kornizat buxhetore, ndërkohë që Parlamenti i posa konstiuuar ende nuk ka marrë një vendim se si do të veproj lidhur me përgatitjen dhe miratimin Ligjit për buxhetin, pasi që i njëjti duhet të kalojë nëpër dikasteret përkatës qeveritarë, të cilët tani për tani mungojnë.

Sidoqoftë, dihen procedurat e planifikimit dhe miratimit të buxhetit të shtetit dhe gjithë ky proces nuk mund të ndodhë pa përfshirjen e Ministrisë së Financave, Qeverinë e Kosovës, komisioneve parlamentare dhe në fund është seanca plenare e parlamentit që i jep dritë jeshile buxhetit.

Kështu siç po rrjedhin gjërat, si pasojë e mos konsolidimit të institucioneve ekzekutive, Kosova mund të ballafaqohet me krizë buxhetore (më së largu deri më 1 mars) që do të ndikojë drejtpërdrejt në bllokimin e pagave dhe në mosfunksionimin institucioneve publike.

Njohësit e problematikave financiare thonë se mosmiratimi i buxhetit deri në shkurt të vitit të këtij viti nuk paraqet ndonjë problem të theksuar, por problemet fillojnë pas muajit shkurt, nëse deri atëherë nuk formohet Qeveria dhe institucionet përcjellëse ekzekutive. Ndërkohë bëhet e ditur se Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Meqë Kosova ndodhet në një tranzicion institucional, ku ende nuk është bërë bartja e kompetencave nga pushteti i kaluar tek i riu, mbetet çështje e hapur edhe rishikimi i strukturës së buxhetitnga ana e Qeverisë së re, duke u përqendruar në fushat më me prioritet, që ishin premtuar edhe gjatë  fushatës parazgjedhore nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Siç dihet, përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve politike që i fituan zgjedhjet e 6 tetorit, patën premtuar se projeksionet e buxhetit për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme të shpenzimeve të bëra nga Qeveria në largim e Kosovës, do të rishikohen.

Projektimi i buxhetit në vitet e kaluara nga ana e qeverive të ndryshme, ka qenë gjithmonë në fokus të kritikave, si nga ana e bizneseve po ashtu edhe nga ekspertët e ekonomisë dhe financave. Emërues i përbashkët e këtyre kritikave ka qenë konstatimi se infrastruktura rrugore kryesisht ka mbizotëruar investimet në Kosovë, duke anashkaluar investimet në projekte zhvillimore në agrobiznes, në industrinë përpunuese, në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, në arsim, siguri, mbrojtje etj.

Përpos pasojave që sjell mosmiratimi i buxhetit, Kosova mund të pësojë edhe në fusha të tjera nëse brenda muajit shkurt nuk formohen të gjitha institucionet ekzekutive. Fusha e stabilitetit të brendshëm, që reflektohet edhe në sigurinë rajonale, është një vrimë e zezë e cila nuk guxon të përdoret si target synimesh destabilizuese. 
Kjo pjesë e Ballkanit, ku instalimi i NATO-s nuk është rrumbullakuar plotësisht, ende nuk është hequr nga harta e atyre që duan të krijojnë kriza rajonale me impakt gjeopolitik, kurse Kosova, me gjithë garancitë që vinë nga prezenca e KFOR-it, edhe më tej konsiderohet si një vatër e mundshme krize. 
Ngjarjet e fundit në Mal të Zi, ku kemi një konfrontim politiko-fetar në mes të politikës zyrtare të Podgoricës dhe instalimeve proserbe nëpër parti dhe në kishë, janë një sinjal i mjaftueshëm dhe një kambanë për veshët e politikanëve në Kosovë, të cilët duhet të shpejtojnë të formojnë Qeverinë e re. 
Ka plot cuba politik e parapolitik sot në Ballkan që lehtësisht mund ti bashkojnë përpjekjet e tyre në ndonjë projekt destabilizues, kurse Kosova mund të jetë një nga caqet e këtij projekti. 
E ardhmja mund ti demantojë këto konstatime , por natyra e disa zhvillimeve në rajon, ku gjithsesi bëjnë pjesë edhe ngjarjet e fundit në Mal të Zi, pastaj politikat militariste të Beogradit që po shpërfaqen përmes furnizimit me armë të sofistikuara nga Rusia, si dhe ftohja e marrëdhënieve me Tiranën zyrtare, shpijnë në një hulli, të cilin duan ta hapin shumë varrmihës të demokracisë në këtë pjesë të Europës Juglindore. 

Por, ajo që mbetet të shpresohet është pamundësia për të ndodhur këta skenar, kurse Kosova urgjentisht duhet të kryejë detyrat e saj të shtëpisë, që nënkupton formimin Qeverisë dhe fillimin e reformave të premtuara. 

Lini një Përgjigje

Top