Shkrimtari austriak dhe udhëtimi i tij me veturë në shtetin me rrugica: Shqipëria në vitin 1931

Shkrimtari austriak Friedrich Wallisch (1890-1969), lindi në Merish-Vajskirhën (Hranice) në Moravi (tani në Republikën Çeke). Shërbeu në flotën ushtarake të Austro-Hungarisë dhe në vitin 1914 ndodhej në Shqipëri, ku raportoi për sundimin e shkurtër të Princ Vidit (Wilhelm zu Wied, 1876-1945).

Pas Luftës së Parë Botërore, mbaroi studimet në Austri në degën e Mjekësisë me një doktoraturë, por, siç duket, nuk e ushtroi kurrë këtë profesion.

Në pranverë të vitit 1923 themeloi në Vjenë Shtëpinë Botuese Evropiane të Dr. Fridih Valishit (Europäischen Verlag Dr. Friedrich Wallisch), të cilën e drejtoi për disa vjet. Ishte edhe autor poezish, esesh, tregimesh, biografish, udhëpërshkrimesh dhe dramash. Në vitin 1929 themeloi një Shoqatë Austriako-Shqiptare (Österreichisch-Albanische Gesellschaft).

Me interes albanologjik ndër librat e tij janë veprat: Der Adler des Skanderbeg: Albanische Briefe aus dem Frühjahr 1914 (Shqiponja e Skënderbeut: letra nga pranvera e vitit 1914), Lajpcig & Vjenë 1914; Der Atem des Balkans: Vom Leben und Sterben des Balkanmenschen (Fryma e Ballkanit: mbi jetën dhe vdekjen e njeriut të Ballkanit), Lajpcig 1928; Neuland Albanien (Shteti i ri, Shqipëria), Shtutgart 1931; dhe Albanien und seine Postwertzeichen (Shqipëria dhe pullat e saj postare), Vjenë 1937.

Fotot e këtij koleksioni janë marrë nga vëllimi Neuland Albanien, rrëfimi i një udhëtimi automobilistik Friedrich Wallisch ndërmori në Shqipëri rreth viteve 1930-1931. /Robert Elsie/Telegrafi/

Lini një Përgjigje

Top