Rreth 25 mijë fëmijë më pak të lindur pas luftës krahasuar me 20 vjetët e fundit të paraluftës

Në mungesë të perspektivës dhe kushteve të rënda ekonomike, vit pas viti po shënohet rënie e lindjeve të foshnjave në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, në të cilin, përveç nënave nga Komuna e Pejës, lindin edhe nënat nga komunat e Istogut, Klinës, Deçanit, Junikut, si edhe disa nga vendbanime të Komunës së Skenderajt dhe Malishevës.

Trendi i rënies së lindjeve është shënuar edhe gjatë vitit 2019, kur në këtë spital kanë lindur 1 mijë e 776 foshnja. Derisa vitin paraprak, 2018, kanë qenë 1 mijë e 932 të porsalindur. “Për çdo vit është duke rënë numri i lindjeve”, thotë me shqetësim drejtori i këtij spitali, Skënder Dreshaj, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas të dhënave nga ky spital, në vitin 2016 kanë qenë 2 mijë e 250 foshnja të lindura, në vitin 2017 kanë lindur 2 mijë e 65 foshnja dhe në secilin vit nga viti në vit numri i lindjeve ka shkuar në rënie.

Që nga viti 2000 e këndej, në asnjërin vit nuk është shënuar rritje e numrit të lindjeve krahasuar me vitin paraprak, e as numër përafërt i njëjtë i lindjeve të foshnjave.

Gjinekologu tash në pension, Ibrahim Rexhaj, ka mbledhur të gjitha llojet e statistikave prej vitit 1980, qëkur kishte filluar të punojë në repartin e Gjinekologjisë në këtë spital.

Sipas tij, në vitin 2000 në këtë spital kanë lindur 3 mijë e 389 fëmijë, që janë gati përgjysmë më shumë foshnja të lindura se në vitin 2019. Gjithsej, sipas të dhënave të tij dhe të spitalit, nga viti 2000 e deri në fund të vitit 2019 kanë lindur 49 mijë e 900 foshnja.

Lini një Përgjigje

Top