Si pasojë e pandemisë mund të shuhen deri 50 mijë vende pune në Kosovë

Si pasojë e pandemisë COVID-19, deri në 50 mijë qytetarë të Kosovës mund të humbin vendin e punës. Këtë e ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Që vendet e punës të mos shuhen, Rukiqi thotë, se duhet intervenuar Qeveria e Kosovës për të përkrahur bizneset.

“Sot Kosova ballafaqohet me krizën më të rëndë që nga paslufta. Është me rëndësi të trajtohen këto kriza si duhet, për shkak se mund të lënë pasoja të parikuperueshme. Ka pasur diku rreth 10 milionë euro humbje në ditë në periudhën kur ka qenë e mbyllur pothuajse gjithë ekonomia, pra p[o flasim nga 13 marsi deri më 1 qershor. Por nuk kemi të dhëna të sakta për periudhën pas 1 qershorit e deri më sot. Nëse marrim parasysh shifrat e tkurrjes së mundshme ekonomike, sigurisht mund të flasim për një numër të deri 25 mijë vendeve pune që mund të humben si pasojë e pandemisë. Ky është varianti më pozitiv, e mund të shkojë deri 50 mijë vende pune e më tepër”, ka thënë Rukiqi për “Radio Evropën e Lirë”.

Ai tutje ka thënë se në këtë situatë, shumë lehtë mund të humbin shumë kompani të cilat mund të detyrohen të shkojnë në procedura të falimentimit dhe si pasojë shumë njerëz mund t’i humbin vendet e tyre të punës.

Rukiqi ka thënë se ndikim negativ ka në pjesën e turizmit e gastronomis, gjithashtu edhe te transporti.

Ai thotë se për një periudhë afatmesme probleme mund të ketë edhe te sektori i tregtisë me pakicë dhe sektori i ndërtimit.

Sipas tij, deri tash humbjet e ekonomisë së Kosovës nga 13 marsi deri më 1 qershor kanë shkuar deri në 10 milionë në ditë.

“Ne mund të kemi një përllogaritje të saktë që është diku deri në 10 milionë euro në ditë humbje në periudhën kur ka qenë e mbyllur pothuajse e gjithë ekonomia, pra po flasim për periudhën 13 mars deri më 1 qershor, por nuk kemi të dhëna të sakta për periudhën pas 1 qershorit e deri më sot, kur formalisht kemi hapje të ekonomisë, por kemi rënie të dukshëm të qarkullimit. Ndoshta në fund të muajit shtator do të kemi një pasqyrë më të saktë, aty do të shohim edhe raportimet financiare të bizneseve dhe vlerësimeve të bizneseve”, ka thënë ai.

Lini një Përgjigje

Top